Sunday, September 17, 2017

Bardh Nitaj





Prejardhja, fëmijëria dhe rinia e Bardhit (periudha 1919 - 1941)

Trualli i vjetër i familjes Nitaj në qendër të fshatit Drenoc
Bardh Nitaj u lind më 6 maj 1919, në fshatin Drenoc të Vokshit, komuna e Deçanit. Rrjedh nga një familje fshatare, e cila me shumë mund ia dilte të krijonte kushte modeste për jetesë. Por megjithatë, kjo familje ishte nga ato familje shqiptare që shquheshin me vlera të larta kombëtare. Bujaria, trimëria, besa dhe mikpritja ishin virtyte që këtë familje e lartësonin dhe e bënin të nderuar nga e gjithë treva e Vokshit, Deçanit dhe Rrafshit të Dukagjinit. Kjo familje, mendohet se ishin shpërngulur kah fundi i shekullit XVII, nga fshati Voksh i Madh në fshatin Drenoc, në trojet që edhe tani i posedojnë, përbri udhëkryqit kryesor të fshatit. 

Ukë (Halil) Nitaj (1886-1983)
Gjirit të kësaj familje i takuan edhe Ilaz Pashë Dreni (bashkëluftëtar i Pjetër Bogdanit), Isuf Halili (bashkëluftëtar i Sylejman Agë Vokshit), Sylejman Halili (bashkëluftëtar i Haxhi Zekë Biberit), Binak Isufi etj. Babai i Bardhit, Ukë Halili (1886-1983), ishte një burrë mjaft në zë në këto anë, kurse nëna e Bardhit, Hyrë Isufja (1901-1975), ishte një grua malësore, e cila vinte nga dera e Isuf Dermanit të Vuthajve, familja Gjonbalaj, barku i Hasanajve, nga e cila familje doli edhe patrioti i shquar shqiptar Mehmet Dermani (daja i Bardhit).

Pas tre vjet pune (nga marsi i vitit 1916 e deri në tetor të vitit 1918) nga hapja e tyre (nga Austro-Hungaria), më 1918, regjimi i Mbretërisë SKS i kishte mbyllur shkollat shqipe në Drenoc, Junik, Strellc dhe Irzniq dhe nuk lejoi që të përdorej asgjëkundi fjala dhe shkronja shqipe. Kështu, nxënësit shqiptarë, me mundime të mëdha, do të jenë të detyruar të ndjekin mësimet në serbishte, në shkollat që do të rihapen, më 1922 në Deçan e Strellc, më 1924 në Junik dhe më 1927 në Irzniq. Shkolla e Deçanit prej vitit 1927 do të kalojë në lokal shoqëror (tash lokali i vjetër i shkollës fillore). Kështu, Bardhi, shkollën fillore katërklasëshe e kreu në Deçan, në gjuhën serbe, te mësuesi serb Mileta Grujiq. Megjithëse në kushte të vështira, Bardhi arriti suksese të shkëlqyeshme në mësime dhe nuk ishte vështirë të vërehej se për të, libri dhe shkolla do të bëheshin bashkudhëtarë të Tij të jetës. Më pastaj, Bardhi vazhdoi mësimet në Gjimnazin e Pejës, por për shkak të pjesëmarrjes së tij në lëvizjen e rinisë përparimtare u përjashtua nga ky gjimnaz si nxënës i klasës së II-të. Mirëpo, Bardhi mësimet i vazhdon në Gjakovë ku i kryen 3 klasë qytetëse të shkollës së mesme. E tëra kjo ishte para luftës së dytë botërore, e cila shumëçka do të ndërrojë edhe në jetën e Bardhit.


Lufta Antifashiste (periudha 1941 - 1945)

Kulla historike e familjes Nitaj në Drenoc të Vokshit
Gjatë kohës së okupacionit nazifashist, Bardhi në fillim ngeli në shtëpi dhe merrej kryesisht me punë bujqësore e blegtorale, porse nuk kalon shumë kohë dhe Bardhi së bashku me disa të rinj të tjerë të fshatit, i bashkëngjiten lëvizjes çlirimtare duke kryer detyra të ndryshme. Këto detyra, ata i merrnin nga organet udhëheqëse të LANÇ për këto anë. Një nga detyrat më me rëndësi ishte përcjellja e ilegalëve prej baze në bazë, shpërndarja e afisheve dhe mbajtja e lidhjeve të përhershme me aradhet partizane në terren. Bardhi, bashkë me shokët i dërgonin të interesuarit në aradha dhe i armatosnin në shtëpitë e tyre, sidomos ata nga qyteti. Ky grup aktivistësh të rinj lidhjet i mbante me tri aradha partizane, “Emin Duraku”, “Bajram Curri” dhe “Përlat Rexhepi”.

Fillet e organizimit të qëndresës antifashiste 1941-1942
Kështu, Bardhi, prej fillimit të vitit 1942 u pranua në radhët e Lëvizjes së Rinisë Komuniste, kurse prej fillimit të vitit 1943 në radhët e Bashkimit të Rinisë Antifashiste. Më 27 nëntor 1942 në restorant – lokalin e Hysen Batushës në Gjakovë u mbajt mbledhja e aktivistëve të LANÇ, ku merrte pjesë edhe Bardhi, e cila të nesërmen u shndërrua në demonstratë antifashiste nga e cila përpos tjerash pati edhe shumë të burgosur, në mesin e të cilëve edhe Bardhi. Bardhi mori pjesë aktive edhe në Demonstratën e madhe në Gjakovë, më 28 Nëntor 1943, pra një vit më vonë, mbas të cilës shumë aktivistë u detyruan të kalojnë në ilegalitet deri në kapitullimin e Italisë, kështu që gjatë kësaj kohe, sikur edhe gjatë gjithë kohës së okupacionit, shtëpia e Bardhit shërbeu për strehimin e ilegalëve dhe u bë bazë e sigurt e LANÇ-së. Kështu në shtëpinë e tij në Drenoc gjetën strehim dhe bazë për koordinimin e aksioneve edhe Mehmet Dermani, Veli Nimani, Zekerja Rexha, Hysen Batusha, Jah Salih Moni, Mehmet Bajrami, Idriz Rexhepi, Beqir Ndou, Xheladin Hana e shumë të tjerë. Rregullisht i ka përcjellë këta ilegalë prej një baze në tjetrën, po ashtu ka shërbye si ndërlidhje e mirë në mes bazave partizane të kësaj ane, siç ishin shtëpitë dhe restoranti i Hysen Batushës, shtëpitë e Qamil Brovinës, Xheladin Hanës, Ibrahim Muhaxhirit – në Gjakovë, Imer Isufit, Haxhi Vokshit – në Voksh, Dervish Haxhës – në Pobërgjë, Imer Zekës – në Kodrali, Bali Sylës – në Vuthaj, Imer Alisë – në Tropojë, Salih Monit – në Krasniqe, Halil Vokshit, Sylë (Binak) Alës, Ramë (Shaban) Alës, Bardh (Shaban) Nitës – në Drenoc, e shumë të tjera. Nëpërmjet tij merrej dhe dërgohej material propagandistik, armë, municion, ushqim, veshmbathje, barna e material sanitar, për ilegalët dhe aradhat partizane.

Kulla e Salih Monit, Bajraktarit të Krasniqes
ku u mbajt Konferenca e Bujanit
Bardhi, ishte pjesëmarrës në një përleshje në Gjakovë, në mes të partizanëve dhe nazistëve gjerman, menjëherë pas kapitullimit të fashistëve italian, e ku u plagos Jah Salih Moni. Në këtë kohë, Bardhi, kryen edhe një detyrë tjetër me rendësi. Ai, bën përcjelljen e ilegalëve - delegat, për në Malësinë e Gjakovës, ku në Bujan, në kullën e Salih Monit, bajraktarit të Krasniqes, me 31 dhjetor 1943 e 1 dhe 2 janar 1944, u mbajt Konferenca e parë themeluese e Këshillit Nacional Çlirimtar për Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit. Konferenca e Bujanit doli me një dokument përfundimtar me rezolutë të miratuar, ku thuhet: Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkue me ShqipërinëLufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorit nazist gjaksuer e rrogtarëve të tij, është e vetmja rrugë për me fitue lirinë, në të cilën të gjithë popujt, pra edhe populli shqiptar, do të kenë mundësi me vetëvendosë mbi fatin e tyre, me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje.


Faksimili me nënshkrimet e dokumentit
të Konferencës së Bujanit, ku i vijëzuar dallohet
nënshkrimi i M. Dermanit
Për kontributin e Tij dhënë Konferencës së Bujanit. daja i Bardhit, Mehmet Dermani, u nderua (pas vdekjes) me “Urdhërin e Flamurit Kombëtar për Liri” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, më 7 janar 1994. 

Gjatë kohës së Ofensivës së Dimrit të fundvitit 1943 e fillimvitit 1944 e ndërmarrë nga okupatori gjerman, Bardhi ngarkohet me detyrë që të dezorganizojë masat e gjëra popullore që mos të marrin pjesë në këtë ofensivë të armikut dhe ia doli me sukses që të evitojë një luftë vëllavrasëse. Gjatë vitit 1944, Bardhi disa herë arrestohet nga organet e okupatorit gjerman, kështu që detyrohet të kaloj në ilegalitet. Porse, aktiviteti i tij nuk zbehet por rritet edhe më shumë. Kështu, i mban lidhjet me bazat me të sigurta të LANÇ-së dhe bën përcjelljen e ilegalëve nga prapavija deri te njësitë dhe aradhat partizane.

Pas çlirimit të Tropojës më 16 tetor 1944, u krijua mundësia që të formohej një njësi e re, sipas Urdhërit të Komandës së Përgjithshme të UNÇSh-së (të lëshuar më 25 tetor '44), më 6 nëntor 1944, në Astë të Tropojës u formua Brigada e XXV-të Sulmuese. (Brigada e XXV-të Shqiptare e Malësisë së Gjakovës). Në përbërje të saj bënin pjesë partizan të batalioneve të zonës, të cilët qysh në fillim arritën numrin prej rreth 1000 partizanë (tropojanë, hasjanë e kosovarë). Komandant i Brigadës u zgjodh Veli (Niman) Doçi, ndërsa komisar politik Nuri Arapi. Brigada përbëhej nga katër batalione, ku komandant të tyre, ishin Idriz (Rexhep) Mulosmani, Ali (Ibrahim) Balaj, Mehmet (Bajram) Mulosmani dhe Ismail Poga. Vlen të përmendet se Mehmet Dermani, Idriz (Rexhep) Mulosmani dhe Mehmet (Bajram) Mulosmani, ishin nipërit e Salih Monit të Krasniqes. Bardhi, u angazhua në Brigadë që nga formimi i saj. Në fillim kryen detyrën e korrierit të batalionit të III-të, kompania e II-të, e pastaj delegat i togut të I-rë të këtij batalioni. Daja i Bardhit, Mehmet Dermani ishte komisar politik i batalionit të III-të (e më vonë edhe i tërë brigadës).

Brigada e XXV-të Sulmuese, që në fillim mori detyrën më të rëndë luftarake për t’i ardhur në ndihmë Brigadës së VI-të Sulmuese, që e ndiqte armikun në Malësinë e Shkodrës, drejt Dukagjinit. Brigada do të marshonte, në një terren të largët, malor e të vështirë, në kohë dimri me mbi 1.5 metra dëborë, siç ishin zona e Nikaj-Mërturit, Thethi, Shala e Shoshi, midis vargmaleve të Qafë Kolshit, mbi 2000 metra të lartë si dhe midis Shkëmbit të Rajës e Lumit të Valbonës që tashmë nga dimri ishte i pakalueshëm. Gjatë lëvizjeve në malet e Shalës, në të ftohtë dhe pa ushqim qëndruan plot katër ditë, me ç ‘rast për pasojë shumë luftëtarë ishin mërdhirë këmbë e duar (në mesin e tyre edhe Bardhi), e të cilët për mjekim qëndruan te Bajraktari i Shalës, i cili ishte stërnip i Salih Monit. Bajraktari ishte simpatizant i LANÇ-së, por edhe e respektonte shumë farefisninë që e kishte me Salih Monin dhe tre nipërit e tij, e simpati të veçantë kishte ndaj stërnipit të Salih Monit, Bardhit, i cili ishte më i riu por edhe mjaft i zgjuar. Kështu, brigada u aftësua që të vazhdoj rrugëtimin e vet për në Malësi të Shkodrës për të dalë në breg të Drinit, prej kah tërhiqeshin forcat gjermane nga fronti i jugut. Në breg të Drinit u zhvilluan luftime të rrepta me gjermanët. Brigada e XXV-të Sulmuese përgjatë tërë rrugëtimit: Tropojë - Dragobi - Qafë Bori - Guci - Plavë - Qafë Dielli - Bjellopolje, zhvilloi shumë operacione luftarake për çlirimin e zonave. Në Qafë të Çakorrit u bë një marrëveshje me burrat e Rugovës për të penguar një konflikt eventual vëllavrasës. Pas kësaj, Brigada u kthye në Kosovë dhe me 28 nëntor 1944, në Gjakovë u vendos në kazermat ushtarake në fushat e Bajram Agës.

Brigada e XXV-të Sulmuese, së bashku me Brigadën e III–të dhe Brigadën e V-të ishin pjesë e Divizionit të V–të Sulmues të UNÇSH që gjatë marshimeve e veprimeve luftarake në Kosovë arritën një efektiv në 6.500 partizanë. Së bashku edhe me Divizionin e VI–të Sulmues të UNÇSH (që numëronte një efektiv prej 4.000 vetash), kjo brigadë kaloi në Sanxhakun e Jeni Pazarit dhe atje zhvilloi luftërat përfundimtare për çlirimin e kësaj treve. Kështu, Brigada në fillim të vitit 1945 u kthye në Kosovë. Në maj të vitit 1945 në Mitrovicë të Kosovës, kjo Brigadë u shpërnda në përbërje të tri brigadave të UNÇSH : Br. V–S, Br. VI–S dhe Br. XXII-S.

Mehmet Dermani, daja i Bardhit
Nga fillimi i shkurtit 1945, kishte mbërrit një urdhër i Komandës së Përgjithshme, për kthimin e pionierëve-partizanë në Tiranë për shkollim. Në urdhër thuhej: “Meqenëse së shpejti çelen shkollat dhe duke marrë parasysh se kjo kategori ka nevojë më shumë se kushdo tjetër për arsim, kjo Komandë ka vendosur që t’i heqë nga Ushtria dhe t’i vendosë nëpër shkolla të ndryshme…” (Dokumenti i Komandës dhe i Shtabit të Përgjithshëm, V-2, faqe 241). Bardhi, bashkë me disa të rinj luftëtarë të kësaj Brigade, si më të dalluarit dhe më të shkolluarit, u caktuan për në shkollën e oficerëve ushtarak në Tiranë (që më vonë do të quhej Shkolla Ushtarake “Skënderbej”), ku për instruktor ishte caktuar edhe komisari politik i Brigadës së 25-të Shqiptare, Mehmet Dermani, i cili kishte të kryer Akademinë Ushtarake në Itali, bashkë me Asim Vokshin, me të cilin kishte edhe shoqëri e miqësi të ngushtë.


Mirëpo, dimër i vështirë që mbretëronte në atë kohë, bëri që ky grup të rinjsh që prisnin të shkonin për shkollim në Tiranë, të prisnin që të kaloj dimri dhe të lehtësohet rruga për Shqipëri. Por, siç duket, ky dimër pos që ishte i vështirë për motin, për Kosovën dhe shqiptarët ishte edhe mjaft i kobshëm. Shqiptarët edhe një herë gjatë historisë së tyre ishin protagonistë të një tragjedie që po e përjetonin, ani pse gjatë kësaj lufte ata bënin një luftë të drejtë, luftuan nazifashistët gjermano-ital dhe menduan se lufta që e bënin do të jetë garancia më e fortë se do të gëzonin lirinë dhe bashkimin kombëtar. Porse, edhe një herë gjatë historisë, shqiptarët u (vet)mashtruan, u (vet)tradhtuan... Vlen të përmendim se në shtator të vitit 1944 Shtabi Kryesor i Kosovës u degradua në Shtab Operativ e ky u vu nën komandën e Shtabit Kryesor të Serbisë; në shkurt të vitit 1945 Titoja vendosi administrimin ushtarak në Kosovë, ... dhe për pasojë masakra e Drenicës dhe e trevave tjera shqiptare, ploja e Tivarit, ... dhe kështu shqiptarët mbetën edhe një herë të ndarë përgjysmë dhe edhe një herë gjysma e kombit mbeti nën thundrën serbo-sllave. Kështu, shqiptarët e Malit të Zi, Rrafshit të Dukagjinit e të Kosovës dhe Maqedonisë u desh të pajtohen me këtë Dimër të Gjatë me shpresë se edhe për ta do të vinte Pranvera e Vonuar.


Shkollat e para shqipe (periudha 1945 - 1950)

Përfundimi i luftës, popullsinë e këtushme, si kudo nëpër Kosovë, do ta gjejë në skamje e mjerim të madh. Njerëzit, që kryesisht merreshin me veprimtari bujqësore e blegtorale, kishin rënë në një varfëri të madhe, kurse sëmundjet e shumta epidemike si rezultat i luftës e ngarkonin edhe më shumë jetesën e tyre. Kur i shtohet kësaj edhe (ri)okupimi sllavo-komunist, atëherë mund të paramendohet se çfarë drame po përjetonin shqiptarët këndej kufirit. Në atë kohë (në fillim të vitit 1945), në Pejë u hap një kurs tremujor sanitar. Nga pamundësia që të shkoj në shkollën e oficerëve ushtarak në Tiranë dhe duke e parë se nevoja për infermier sanitar këtu ishte mjaft e madhe, Bardhi vijoi këtë kurs sanitar (bashkë me shumë shokë të luftës nga Deçani, Gjakova, Peja, Istogu dhe Klina). Mësimet i mbanin mjekët e atëhershëm dr. Pavle Floko nga Shqipëria, dr. Glladolini dhe dr. Glladolinka, bashkëshortë nga Rusia. Pas kryerjes së këtij kursi Bardhi u caktua të punojë në Komandën e Vendit, në batalionin e brigadës “Bokeshka” (të Bokës së Kotorrit) e cila ishte e vendosur në shkollën fillore të Deçanit dhe këtu si infermier sanitar kreu detyra të rëndësishme për shëndetin e popullatës së kësaj ane, të cilën e kishin kapluar sëmundje të ndryshme si pasojë e luftës dhe skamjes që mbretëronte. Me 20 korrik 1945, Bardhi emërohet Referent Sanitar në Këshillin Popullor të Vendit në Deçan. Këtë detyrë e kreu deri në fund të këtij viti. Prej 2 gushtit 1945, Bardhi është kandidat për anëtarë në organizatën e Partisë Komuniste.

Shtëpia-shkollë e imamit të Drenocit
Si gjithnjë gjatë historisë, populli do t’i nxjerrë nga gjiri i vet bijtë dhe bijat më të mira të kombit, ashtu që këta të bëhen fli për çështjet madhore të kombit. Dhe duke qenë arsimi – shtyllë e qëndresës kombëtare, detyrë prioritare e këtyre patriotëve të kombit ishte vënia e gurthemeleve të shkollës shqipe. Prandaj, edhe sukseset në arsim që do të pasojnë i gjejmë në kontributin e pakontestueshëm të të gjithë atyre pionierëve të arsimit, të cilët nuk kursyen asgjë dhe jo rrallë flijuan vetveten, duke u gjendur në udhëkryqe të vështira e të kurdisura nga pushteti komunist. Fillimi ishte shumë i vështirë. Mungesa e lokalit, mjeteve të punës e sidomos e kuadrit mësimdhënës ishin mjaft të ndjeshme, sikurse edhe faktet se mbi 90 për qind e popullsisë ishin analfabetë, 95 për qind të mësuesve ishin të pakualifikuar, ndërsa arsimtarë dhe profesorë s’kishte fare. Por, këto vështirësi do të tejkalohen në saje të angazhimit të të gjithë njerëzve arsimdashës, e para se gjithash në saje të mësuesve të parë. Kështu, në vitin 1945, pas 27 viteve, Bardhi bashkë me mësuesin Ramë (Shaban) Alaj, do të rihapin shkollën fillore në fshatin e tyre të lindjes, në Drenoc, ku edhe punuan si mësues gjatë vitit shkollor 1945/46. Mësimi mbahej në xhaminë e fshatit e më pas në shtëpinë e imamit të xhamisë dhe në shtëpinë e Sava Popoviqit (i vrarë si çetnik). Mësues të tjerë, si Avdyl (Nush) Çekaj, Haxhi (Mahmut) Aliçkaj, Hasan (Beqir) Baçaj, Ahmet (Avdyl) Povataj, Fazli (Jahë) Binakaj, Jusuf (Sadik) Nimonaj e shumë të tjerë, karrierën e mësuesisë e filluan duke hapur shkolla nëpër fshatrat e ndryshme të Deçanit, por edhe gjetiu nëpër Kosovë, kudo që ndjehej nevoja. Nuk duhet harruar këtu as mundin e djersën e mësuesve tjerë të ardhur nga viset e Kosovës, siç ishin Islam Spahiu, Qazim Zhubi, Njazi Fehmiu, Haki Rraci, Hasan Zeka, Sali Prizreni, Ramiz Musa, Pajazit Nushi, Ramiz Pupovci etj. 

Kulla e Shpend Sylës në Molliq
Në të njëjtën kohë, Bardhi me shokët nga kursi sanitar i vazhdojnë mësimet në Gjimnazin e Pejës dhe kështu gjer në qershor të vitit 1946, kur shokët e arsimit të krahinës në krye me profesor Zekeria Rexhën i nxorën nga gjimnazi dhe i dërguan në kurse pedagogjike që të aftësohen për mësues pasi që duhej të hapeshin shkolla fillore dhe kurse analfabetike për të rritur nëpër fshatra. Bardhi kështu edhe bëri dhe prej 15 korrikut deri më 30 shtator të vitit 1946 në Prizren kreu Kursin e Ulët Pedagogjik dhe më 14 tetor 1946 Dega e Arsimit e Këshillit Popullor Rajonal për Kosovë e Metohi, në Prizren, me vendimin Nr. 11.706, emëron Bardh Ukën, mësues në fshatin Molliq, të Këshillit Popullor të Vendit në Batushë, Rrethi i Gjakovës. Këtu, Bardhi, themelon shkollën fillore “Jahë Salihu”, në të cilën punon si mësues dhe drejtor shkolle një vit të plotë shkollor. Njëkohësisht vijonte edhe mësimet me korrespondencë në gjimnaz si dhe organizonte dhe udhëhiqte kurse analfabetike dhe shëndetësore për të rriturit në fshatrat e Batushës. Në profesionin e mësuesit, Bardhi shihte detyrën më të shenjtë që do të mund të kryente për popullin dhe siç do të shihet Bardhi tërë jetën e vet ia kushtoi emancipimit arsimor, edukativ, kulturor e shëndetësor të popullit. Kështu ani pse me kushte materiale shumë modeste, me mjaft vullnet e nisi punën në Molliq. Mësimi zhvillohej në një shtëpi private, kullë guri tre katesh, pronë e Shpend Sylës. Bankat, tavolinat, karriget dhe dërrasën e zezë i ndërtoi bashkë me disa mjeshtër vullnetar nga fshatrat e anës, materialin ndërtimor e siguroi falas nga Sharra e Junikut. Tabelat e shkrimit Bardhi vet i ngjyrosi me një teknikë të thjeshtë, çaxhë të oxhakut, vezë taze, qumësht dhe ngjyrë të zezë. Përpos kësaj u angazhua edhe në sigurimin e mjeteve të duhura mësimore. Aktiviteti i tij u përqendrua në përfshirjen sa më masive të djemve dhe vajzave në shkollë dhe zhdukjen e analfabetizmit. Sukseset nuk mungonin!

Bardh Nitaj, foto e rrallë nga rinia e hershme
Në pushimet e verës, (i liruar nga mësimet me korrespondencë në Gjimnazin e Pejës dhe nga angazhimet në shkollën e Molliqit), Bardhi kreu edhe një kurs tjetër mësuesie në Prizren, Kursin Tremujor Pedagogjik, prej 1 korrikut deri me 30 shtator 1947. Duke e lënë gjimnazin pa e përfunduar dhe profesionin aq të dashur të mësuesit, Bardhit iu deshtë që prej 26 tetorit 1947 e deri më 2 maj 1949, të shërbej në Armatën Jugosllave në Zonën e VII-të Ushtarake në Mostar (posta ushtarake 8182) në komandën e Divizionit të 51 të Qitësve, në shërbimin sanitar, ku edhe kreu Kursin nënoficer sanitar 6 mujor me sukses të shkëlqyeshëm (5) prej 1 prillit deri me 1 tetor 1948. Me 3 tetor u pranua në organizatën e Partisë Komuniste. Po ashtu gjatë shërbimit në ushtri, u gradua në Rreshter të Klasës së I-rë. Gjatë shërbimit, në vitet 1948 – 1949, Bardhi vijoi dhe përfundoi shkollimin e rregullt në Shkollën e Mesme të Medicinës në Sarajevë, me sukses të shkëlqyeshëm (5) kreu edhe provimin e Diplomës (prej 21 deri më 28 qershor 1949), me ç ‘rast u kualifikua Ndihmës mjeku. Tani më, Bardhi kishte kryer shërbimin ushtarak. Kompetentët e shkollës e lusin Bardhin që të shkoj në studime në Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb si bursist i tyre pasi që në të shihnin një talent dhe inteligjencë të jashtëzakonshme. Vlen të përmendet se Bardhi qysh si nxënës i kësaj shkolle ishte angazhuar edhe në procesin e mësimdhënies, për lëndën e Matematikës e më vonë edhe në lëndën e Gjuhës serbo-kroate, nga drejtoria e kësaj shkolle. Mirëpo, në atë kohë Bardhi, u takua me Mehmet Gjevorin, në Sarajevë, inspektor krahinor i arsimit, nga i cili duke dëgjuar për gjendjen e vështirë të kuadrit arsimor në Kosovë, vendos të braktisë rrugën e studimeve aq të dëshiruara në fushën e mjekësisë, e të kthehet në Kosovë, në profesionin e shenjtë të mësuesit të popullit nga i cili nuk u nda më asnjëherë.

Kështu, me vendimin nr. 41.218 te organeve kompetente te arsimit, Bardhi u emërua mësues  në fshatin Ponashec të Rrethit te Gjakovës, ku punon prej 6 majit deri më 1 shtator 1949, në shkollën fillore “Ganimete Tërbeshi”, si mësues dhe drejtor shkolle. Për këtë kohë të shkurtër, më tepër u angazhua në konsolidimin e procesit edukativo-arsimor, sepse në këtë shkollë kishte punuar vetëm një mësues nga Gjakova, Hajdar Hasimja, i cili ishte shumë i ri për nga mosha dhe i cili ende nuk i ishte adaptuar këtij ambienti. Këtu ishin 4 paralele (për secilën klasë nga një) dhe mësimi mbahej në kushte të vështira, porse për një kohë të shkurtër u arrit një konsolidim i mirë. U mbajtën edhe kurse analfabetike dhe sanitare. Në ndërkohë, Bardhi kreu Kursin e Naltë Pedagogjik në Pejë, prej 1 korrikut deri më 30 shtator 1949, me ç’rast provimin e pjekunisë për mësuesi e dha prej 16 deri më 29 shtator 1949.

Gjatë tërë kësaj kohe, por edhe më vonë, Bardhi ushtroi edhe një varg funksionesh të rëndësishme në Rrethin e Gjakovës, si delegat, anëtar i aktivit politik, anëtar i pleqësisë së arsimit, referent për arsimin popullor (i zgjedhur më 6 korrik 1949), kryetar i komisionit për çështje paraushtarake, bashkëpunëtor i inspektoratit për arsim dhe shëndetësi, anëtar i këshillit për arsim dhe kulturë (prej 27.XII.1952 dhe prej 15.XII.1953) në Këshillin Popullor të Rrethit të Gjakovës etj.

Prej 1 shtatorit 1949 e deri me 1 shtator 1950, Bardhi kthehet sërish në fshatin e tij të lindjes, në Drenoc, në shkollën fillore “Sylë Alaj”, ku bashkë me mësuesin tjetër Hasan (Beqir) Baqaj angazhohet në përfshirjen e nxënësve në shkollë, zhvillimin e procesit mësimor, zhdukjen e analfabetizmit etj. Edhe këtu sukseset ishin të shkëlqyeshme, falë angazhimit të mësuesit dhe drejtorit të kësaj shkolle Bardh (Ukë) Nitaj.

Rruga e gjatë e zhvillimit të shkollës shqipe (periudha 1950 - 1967)

Prej 1 shtatorit 1950 e deri me 1 shtator 1953, Bardhi punon në Gjimnazin e Ultë (më vonë Shkolla Fillore "Drita") në Gramaçel kurse prej 1 shtatorit 1953 e deri me 1 tetor 1955 në Gjimnazin e Ulët (më vonë Shkolla Fillore "Kultura") në Irzniq, si mësues dhe drejtor i këtyre shkollave, që administrativisht i takonin Rrethit të Gjakovës.

Kulla e Tahir Kamer (Avdijaj) në Gramaçel
Bardhi u transferua në Gramaçel me vendimin nr. 18.796, të organeve arsimore të Rrethit të Gjakovës, për të themeluar progjimnazin si shkallë të ulët të shkollës së mesme. Në progjimnaz mësimet zgjatnin katër vite dhe pas kryerjes së tij nxënësit iu nënshtroheshin provimeve të semimaturës dhe pas suksesit pozitiv ata mund t'i vazhdonin mësimet në gjimnaze dhe shkolla të mesme profesionale. Në fillim, Bardhi nuk e kishte asnjë kolegë, kështu që të gjitha lëndët mësimore i zhvillonte vet. Pas një viti erdhi Mirash Perkaj, mësues nga Mali i Zi, por ky nuk qëndroi shumë dhe pas tij erdhi mësuesi nga Gjakova, Masar Polloshka. Mësimet në paralelet e këtij progjimnazi zhvilloheshin në një shtëpi private, në kullën trekatëshe prej guri te Kamer Sylës. Me aktivitetin e vet, Bardhi bashkë me kolegun nga Gjakova, ia arritën qëllimit që ta shtojnë numrin e nxënësve të rregullt në shkollë duke i përfshirë të gjithë filloristët në këtë shkallë të shkollimit dhe duke e zgjeruar rrjetin e shkollës. Në këtë kohë u ndërtua një ndërtesë e vogël shkollore me dy dhoma mësimi dhe dy zyre, si dhe u adoptua ndërtesa e Këshillit Popullor të Vendit i cili në atë kohë u rasformua. Tani në këtë progjimnaz punonin mësuesit, Rexhë Ali Beci, Qemajl Dinarama dhe Myrteza Nuredini, kurse në shkollën fillore të fshatit punonin Sami Kolçi, Sakip Emra dhe Nanije Koshi. Me angazhimin e Bardhit, drejtor i këtij progjimnazi të plotë, në këtë periudhë përpos kurseve analfabetike për të rritur, u organizuan edhe kurse shëndetësore dhe të amvisërisë për vajzat fshatare me ç'rast vijimi dhe suksesi në to ishte shumë i kënaqshëm. Rezultate të mira pati edhe në aktivitetet kulturo-arsimore, aktivitetet e lira dhe sportive etj., duke iu falënderuar punës pa kursim të Bardhit dhe të kolegëve të tij.


Shkolla fillore në fshatin Irzniq
Pas tre vitesh pune të suksesshme në progjimnazin e Gramaçelit, Bardhi transferohet në progjimnazin e Irzniqit, ku punon edhe dy vite tjera si mësues dhe drejtor. Paralelisht me këtë, ekzistonte edhe progjimnazi në gjuhën serbe. Në progjimnazin, në gjuhën shqipe, punonin edhe këta kolegë të Bardhit, Asllan Kryeziu, Xhevat Koshi, Munib Canhasi, Mazllum Morina, Sevdije Dushi dhe Ferihane Canhasi - Baraku. Gjatë kësaj periudhe aktivitetin e vet, Bardhi e përqendron në ndërtimin e objektit të ri shkollor në kuadër të zgjerimit të lokalit shkollor, mirëpo për shkak të mungesës së mjeteve të mjaftueshme financiare, arsimtarët e kësaj shkolle me vetiniciativë mblodhën ndihma vullnetare dhe me punën e vet bënë gëlqerosjen dhe molerimin e kësaj shkolle. Bardhi, edhe në këtë trevë kujdes të veçantë i kushtoj hapjes së kurseve shëndetësore dhe të amvisërisë, me ç'rast ishte edhe Kryetar i Komisionit shqyrtues për përparimin dhe lulëzimin e shëndetësisë të Zonës Rinore në Këshillin Popullor të Komunës së Irzniqit, i zgjedhur më 6 prill 1955. Me angazhimin e Bardhit, në kuadër të aktivitetit të tij në sferën e kulturës, u ndërtua salla e kulturës, ku ndihmesë të madhe dha Kooperativa bujqësore në Irzniq, me drejtor Hajdar Aliçkaj. Në këtë sallë zhvillohej një aktivitet i gjallë kulturo-arsimor me rininë e fshatit dhe zonës përreth. Edhe progjimnazi i Irzniqit, sikur se edhe ai i Gramaçelit,  më vonë do të shndërrohen në shkolla fillore tetëvjeçare.

Deçani, fotografi e hershme
Në vitin e rasformimeve të rretheve dhe krijimit të sistemit komunal, Bardhi emërohet Referent për Arsim e Kulturë në Këshillin Popullor të Komunës së Deçanit, ku punon prej 1 tetorit 1955 e deri me 31 gusht 1956. Gjatë kësaj kohe, angazhohet në zhvillimin dhe zgjerimin e rrjetit shkollor në komunë dhe sigurimin e kuadrit të nevojshëm arsimor. Po ashtu angazhohet në hapjen e kurseve shëndetësore dhe të amvisërisë në tërë territorin e komunës. Struktura kadrovike në Komunën e Deçanit, me rastin e këtij rasformimi nuk ishte aspak e volitshme për shqiptarët.  Struktura etnike e popullsisë në komunë ishte 95% shqiptarë dhe 5% malazez, serbë etj., ndërsa struktura kadrovike ishte 95% serbo-malazez dhe vetëm 5% shqiptarë. Vendet kyçe në organet komunale i zinte pakica serbo-malazeze, kryetari i komunës ishte malazez, tre shefat komunal po ashtu, si edhe gjyqtari për kundërvajtje. Prej 6 referentëve komunal vetëm dy prej tyre ishin shqiptarë, referenti për arsim e kulturë dhe referenti për mbrojtje popullore. Po ashtu edhe në të gjitha organizatat shoqërore-politike të komunës, funksionet udhëheqëse i zinin malazezët dhe serbët. Në organet e punëve të brendshme dhe polici gati të gjithë të punësuarit ishin serbo-malazez. Sekretari i Komunës, Faik Rraci nga Gjakova, i kishte ditët e numëruara në këtë vend pune. Nuk kaloi shumë kohë, edhe Bardhit do t'i numëroheshin ditët në pozitën e Referentit, pasi që ra në konflikt të hapur me kryetarin e komunës, kur Bardhi kundërshtoi zbatimin e vendimit për suprimimin e klasave të larta të shkollës tetëvjeçare – mësimi në gjuhën shqipe, me ç ‘rast edhe arriti të pengojë zbatimin e këtij Vendimi, të marrë nga Pleqësia e Arsimit të Komunës së Deçanit. Si refleksion i kësaj, Bardhi pati mjaft vështirësi në vijueshmërinë e studimeve me korrespondencë që në të njëjtën kohë i ndiqte në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Nish, e ku provimet e diplomës në Grupin e VI Histori-Gjeografi i dha prej 16 shkurtit e deri më 28 shtator të vitit 1957, kur edhe u diplomua dhe u kualifikua: arsimtar i tetëvjeçareve dhe gjimnazeve të ulta. Ndërsa, më 10 dhjetor 1958, dha edhe provimin profesional për arsimtar, po ashtu në Nish.

Aksioni i mbledhjes së armëve në Dukagjin (1955-1956)
Ishte pra kjo koha kur qe mjaft vështirë të punohej në organe administrative dhe në funksione udhëheqëse. Njëkohësisht, pozita e popullit shqiptar në të ashtuquajturën Jugosllavi Socialiste e Vetëqeverisëse, që zotohej se kishte arritur barazinë e popujve të saj, gjithnjë keqësohej dhe kishte marrë përmasa të një tragjedie të re kombëtare. Kishte filluar aksioni famëkeq i mbledhjes së armëve, shpërngulja e shqiptarëve për Turqi etj., ndërmarrje këto që vazhduan për një kohë të gjatë. Edhe për popullatën shqiptare të Komunës së Deçanit gjendja bëhej e padurueshme. Aksioni i mbledhjes së armëve në vitet 1955-1956, nuk kaloi pa pasoja edhe për burrat e fshatit Drenoc. Të gjithë burrat e shtëpisë, përfshirë këtu babain Ukë (Halil) Nitaj dhe axhën Tahir (Halil) Nitaj, si dhe kushërinjtë më të afërt të Bardhit, Nimon (Brahim) Nitaj, Haxhi (Nimon) Nitaj, Nezir (Salih) Nitaj etj., ishin cak i maltretimeve dhe torturave të mëdha. Edhe përkundër gjithë kësaj mizorie, këta burra i përballuan vuajtjet fizike dhe psikike, por nuk i dorëzuan armët e kërkuara. ("Aksioni i mbledhjes së armëve në Dukagjin (1955-1956)", faqe 75-76, Lulu, USA, 2011 nga Shefqet Dinaj dhe Napulan Zeqiri).


Dosja e Sigurimit Shtetëror për mësuesin Bardh (Ukë) Nitaj
Kështu, edhe Bardhi nuk mundi më të punojë në Komunë si Referent për Arsim e Kulturë, ani pse edhe për aq kohë sa punoi dha një kontribut të madh për arsimin, kulturën dhe shëndetësinë e kësaj komune. Nga dokumentacionet e kohës, mësohet se ndjekjeve të mësimdhënësve shqiptarë prej pasluftës e tutje nga UBD-ja, nuk mundi t'i shpëtonte as Bardhi. UDB-ja këtë veprimtari antishqiptare e kryente padyshim, në koordinim të plotë edhe me strukturat më të larta partiake e shtetërore të regjimit. Dosjet e mësimdhënësve nga Rrethi i Gjakovës, ku figuronte edhe dosja e Bardhit, i kishte përgatitur më 14 shkurt 1952, i autorizuari i Drejtorisë së UDB-së për Rrethin e Gjakovës, Jovo Bajat, kapiten i klasit të parë. ("Kuadri arsimor shqiptar në Kosovë në shënjestrën e sigurimit shtetëror 1945-1952", faqe 65-66, Instituti i Historisë, Prishtinë, 1997 nga Dr. Sulltane Kojçini - Ukaj)... Kështu, Bardhi përsëri i kthehet ditarit, nxënësve dhe shkollës, duke u bindur se kontributi më i madh që mund të jepej për popullin e shumëvuajtur shqiptar ishte kontributi për shkollën shqipe.

Në 16 vitet e ardhshme, prej 1 shtatorit 1956 e deri me 30 shtator 1972, Bardhin e shohim në Shkollën Fillore “Bratstvo” ("Vëllazëria") në Deçan, ku punoi si arsimtar, ndihmësdrejtor dhe në fund edhe drejtor i shkollës. Për punën e vet si arsimtar i lëndëve Histori, Gjeografi e për një kohë edhe Biologji, disa vite rresht u vlerësua me notën "Dallohet". Gjatë kësaj periudhe kohore si arsimtar por edhe si student me korrespondencë, është mjaft aktiv në seminare dhe simpoziume të ndryshme shkencore nga fusha e historisë, me ç'rast dallohet me temat nga Historia e përgjithshme e kohës më të re. Janë të njohura punimet e tija shkencore: “Mehmet Ali-Pasha Misirliu dhe Egjipti në gjysmën e parë të shekullit XIX” (1958); “Kemajl Ataturku, themeluesi i shtetit modern turk” (1970); "Pjesëmarrja e popujve të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit në LANÇ" (1971) etj. Me 26 shtator 1972, u diplomua në Fakultetin Filozofik të Universitetit "Kirili i Metodij" në Shkup, Grupi Histori dhe u kualifikua Profesor i Historisë. 

Shkolla fllore në Deçan, objekti i vjetër
Në fillim të punës së tij në shkollën fillore të Deçanit, Bardhi u angazhua me të madhe në përmirësimin e strukturës kadrovike kombëtare në shkollë dhe në përgjithësi në komunë. Me angazhimin e tij, u hapen paralelelet e detashuara (të ndara) të shkollave të mesme ekonomike dhe bujqësore, të gjimnazit dhe të shkollës normale të Pejës. Në fillim, nga viti shkollor 1958/59, u hapën paralelet e ShM Ekonomike, ShM Bujqësore dhe Gjimnazit, kurse më vonë, nga viti shkollor 1962/63,  edhe paralelet e Shkollës Normale, vetëm për klasat e I-ra dhe të II-ta, përderisa për klasat e III-ta dhe të IV-ta, nxënësit duhej vazhduar mësimet në Pejë apo Gjakovë. Mësimet për këto paralele të ndara, mbaheshin në lokalet e shkollës fillore dhe për arsimin shqip të Komunës së Deçanit paraqitnin një kthesë mjaft pozitive, pasi që nxënësit e kësaj komune që vazhdonin shkollimin e mesëm ishin tani të kursyer nga rrugë të gjata që bënin për në Pejë e Gjakovë. Bardhi, njëkohësisht angazhohet në mësimdhënie në këto paralele të detashuara. 

Baca Bardh në mesin e mësimdhënësve të shkollës fillore në Deçan
Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore kur punonte në shkollën fillore dhe në paralelet e detashuara, Bardhi kreu edhe një sërë detyrash dhe ushtroi edhe një varg funksionesh të rëndësishme në Komunën e Deçanit e më gjerë, të gjitha këto të lidhura ngushtë për shkollën dhe arsimin shqip të Deçanit por edhe të Kosovës, prandaj nuk është e rastit që ai kishte fituar një autoritet të madh në masat e gjëra të popullit. Si i tillë, baca Bardh, siç e thërritnin këtu, të gjitha detyrat dhe funksionet që i kryente, i bënte në baza vullnetare, pa u shkëputur asnjëherë nga procesi i mësimdhënies. Kështu, në fund të viteve të '50-ta dhe në fillim të viteve të '60-ta,  Bardhi, në dy mandate, ishte zgjedhur për anëtar të Këshillit për shëndetësi popullore dhe politikë sociale në Këshillin Popullor të Komunës së Deçanit. Deri në pensionim, në vitin 1987, u zgjodh delegat në të gjitha mandatet, në dhomat e Kuvendit Komunal të Deçanit. Ishte anëtar dhe disa herë udhëheqës i organizatave të ndryshme shoqërore-politike, në nivel komunal dhe të Kosovës, si në organizatat e luftëtarëve, kryqit të kuq, ato shëndetësore etj. Angazhim të madh dha për themelimin e Shtëpisë së shëndetit në Deçan si dhe në zgjerimin e rrjetit ambulantor në komunë si dhe në sigurimin e kuadrit të nevojshëm mjekësor.

Shkolla fllore në Deçan, objekti i ri
Po në këtë periudhë, u themelua Fondi komunal për arsim e kulturë, me ç'rast, Bardhi u zgjodh ushtrues i detyrës së sekretarit të këtij fondi. Fondi kishte mjete investive, në shumë prej 5.000.000 dinarë, të destinuara vetëm për adaptimin e ndërtesës së shkollës fillore në Deçan, që ishte ndërtuar para luftës së dytë botërore. Ndërtesa kishte vetëm katër dhoma të përshtatshme, të destinuara për mësim dhe tetë kthina tjera të vogla të cilat kanë qenë të destinuara për banim për arsimtarët, por të cilat përdoreshin po ashtu si dhoma mësimi. Me adoptimin e këtyre tetë kthinave të vogla do të fitoheshin vetëm katër dhoma mësimi, pra do të fitohej në kualitet dhe do të humbej në kuantitet. Për Bardhin, vlente thënia: "Nuk jemi aq të pasur për të adaptuar një shkollë të vjetër", prandaj me mjetet e këtij fondi u vendos që të nisej nga ndërtimi objekti i ri shkollor (përballë atij të vjetrit, në të cilin punonin edhe paralelet e detashuara të Pejës), objekt ky me njëzet dhoma mësimi, kabinete, zyre dhe terrene sportive. Po ashtu u fillua nga puna edhe me ndërtimin e objekteve shkollore në fshatrat Gramaçel, Junik dhe Isniq. Fatmirësisht, nuk shkoi shumë kohë dhe me 3 shkurt 1967, Kuvendi Komunal formoi Komisionin amë për themelimin e Bashkësisë Komunale të Arsimit, Komisioni përbëhej prej 7 anëtarëve, ndërsa për kryetar u zgjodh Bardhi. Po ashtu, për sekretar të kësaj bashkësie u emërua Bardhi, i cili në këtë detyrë, u angazhua për sigurimin e mjeteve për ndërtimin edhe të objekteve shkollore në Drenoc, Lumbardh, Maznikë, Prapaqan, si dhe për përfundimin e ndërtesave shkollore në Deçan, Gramaçel, Junik dhe Isniq.

Legjitimacioni i deputetit, Bardh Nitaj
Në periudhën e viteve 1969-1973-1974, Bardhi, ishte i zgjedhur, deputet i Kuvendit të Kosovës, në dhomën arsimore-kulturale. Për shkak të detyrave tejet të rëndësishme që kishte nisur, pothuajse historike, këtij organi legjislativ, që kishte mandat deri me 7 maj 1973, me vendim të veçantë të Kryetarit të Kuvendit, Iljaz Kurteshi, iu zgjat mandati edhe për një vit, pra, deri në vitin 1974, kur edhe u shpall Kushtetuta e Kosovës, e vitit 1974, e cila vendit i solli një frymë të re në synimet e saja afatgjata. Kështu, aktivitetin e vet, Bardhi e përqendron më tepër në hartimin dhe aprovimin e amendamenteve kushtetuese si dhe në hartimin dhe aprovimin e Kushtetutës së vitit 1974. Si deputet, në dhomën arsimore-kulturore dha kontributin e tij të çmueshëm në themelimin e shkollave të larta dhe fakulteteve në Kosovë si dhe në themelimin e Universitetit të Kosovës (më 15 shkurt 1970). Kishte rol kyç në hapjen e Fakultetit të Mjekësisë. Një angazhim më rendësi, ishte edhe regjistrimi dhe grumbullimi i huas popullore për arsim. Komuna e Deçanit, të cilën e përfaqësonte, me kontributin e tij, arriti të tejkalojë planin e kësaj huaje dhe me këto mjete u ndërtuan edhe tri objekte të reja shkollore, në Strellc të Epërm, Irzniq dhe Prejlep.

Themelimi dhe zhvillimi i Gjimnazit të Deçanit (periudha 1967 - 1981)

Gjimnazi 'Vëllezërit Frashëri' në Deçan
Në një mbledhje të Kuvendit Komunal të Deçanit, në maj të vitit 1967, Bardhi, si delegat i kuvendit, inicioi hapjen e një gjimnazi të plotë dhe të pavarur në Deçan, si kompensimi më i mirë për paralelet e detashuara, e të cilat ishin suprimuar kohë më parë. Kështu, Pas një sërë debatesh dhe polemikash, dominoi mendimi i intelektualëve dhe i dashamirëve të arsimit dhe kështu Kuvendi miratoi propozimin, me ç'rast formoi Komisionin amë për themelimin e Gjimnazit në Deçan. Komisioni përbëhej prej 5 anëtarëve, ndërsa për kryetar u zgjodh Bardhi. Komisioni amë i kreu të gjitha detyrat e nevojshme brenda një afati rekord dhe në fillim të vitit shkollor 1967/68 u themelua dhe nisi nga puna Gjimnazi “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Kështu, me Vendimin nr. 01-5162/9 dt. 07.XII.1967 të K.K. Deçanit, u themelua Gjimnazi i plotë dhe i pavarur “Vëllezërit Frashëri”.

Në vitet e para, gjimnazi punonte në lokalet e vjetra të shkollës fillore, në kushte mjaft të vështira. Gjimnazi startoi me vetëm 167 nxënës, prej të cilëve 12 vajza. Gjimnazi filloi punën me profesorët e rregullt, Sali Imami, Bajram Januzaj, Vojin Raleviqi dhe me profesorët e me honorar, Muhamet Kërveshi, Gëzim Basha, Selim Begolli, Njazi Ferizaj, Ismajl Dula etj., ndërsa drejtor i parë ishte zgjedhur Sahit (Rexhep) Çekaj. Bardhi, kishte edhe dy probleme të pazgjidhura, lokalet e pamjaftueshme dhe plotësimi i kuadrit profesional. Problemi kadrovik u zgjodh me ndërtimin, në vitin 1969, të një ndërtese banimi me 16 banesa për arsimtarë, pasi që u bashkuan mjetet e subvencionit nga organizatat shoqërore-ekonomike të komunës e të cilat iu falën bashkësisë komunale të arsimit, për këtë destinim. Problemi i lokalit u zgjodh me ndërtimin e objektit të ri shkollor, pasi që u gjet përkrahje nga Bashkësia e Arsimit të Kosovës dhe organet tjera arsimore. Angazhimi i Bardhit ishte vendimtar, që në vitin shkollor 1972/73, gjimnazi të nis punën në objektin e ri dhe në lokacion të ri. Po ashtu, Bardhi angazhohet edhe si mësimdhënës në Gjimnaz, paralelisht me punën e drejtorit në shkollën fillore. 

Prej 1 tetorit 1972, Bardhi kalon përfundimisht në gjimnaz, ku punon deri më 31 tetor 1981, fillimisht si mësimdhënës i historisë, pastaj zëvendësdrejtor, ndihmësdrejtor dhe në fund edhe drejtor prej 20 nëntorit 1978. Gjimnazi u bë vatër e rëndësishme e arsimit dhe edukimit të Deçanit dhe fshatrave përreth. (Këtu vijonin mësimet edhe nxënës nga fshatrat e Pejës dhe Gjakovës). Ditëlindja e këtij gjimnazi është 12 maji 1967, e duke filluar nga kjo kohë e deri në vitin 1987, kur baca Bardh u pensionua, çdo sukses i kësaj vatre edukativo-arsimore është ngushtë i lidhur me emrin e tij, sepse ai më punën e tij të palodhshme dhe profesionale, ia arriti që gjimnazi i Deçanit dhe nxënësit që i nxori kjo shkollë të jenë ndër më të mirët në Kosovë e më gjerë. Në fillim të punës së tij, Bardhi përpos që u angazhua në procesin mësimor, ku dallohet si pedagog dhe profesor, ai u angazhua edhe në sigurimin e mjeteve për pajimin e shkollës me inventar të ri, mjete mësimore konkretizuese, kompletimit të kabineteve për lëndët fizikë, kimi, biologji, arsim politeknik, byroteknikë, kompletimit të responderit, kompletimit të sallës së fizkulturës, pajimin e bibliotekës me sa më shumë tituj librash etj. Më pastaj, më tepër u angazhua në organizimin e procesit edukativo-arsimor, organizimin e aktiviteteve të lira kulturoro-sportive etj. Sukseset nuk mungonin!

Prof. Bardhi në mesin e mësimdhënësve
të gjeneratave të para, të Gjimnazit "Vëllezërit Frashëri" në Deçan.
Kështu, në aksionin "Mësim, mësim dhe vetëm mësim", shkolla zuri vendin e parë në Kosovë për vitin shkollor 1972/73, ndërsa në aksionin "Individi, klasa dhe shkolla më e mirë" mori diplomën si shkolla më e mirë në Kosovë për vitin shkollor 1974/75. Gjimnazi i Deçanit ishte ndër tre qendrat e shkollimit të mesëm në Kosovë (bashkë me gjimnazet e Ferizajt dhe Leposaviqit), që ishte zgjedhur nga organet drejtuese të arsmit të Kosovës për të filluar zbatimin e reformës së re shkollore për arsimin e mesëm të orientuar, qysh nga viti shkollor 1975/76. Në maj të vitit 1977, në jubileun e shkollës (1967-1977), nxënësit dhe mësimdhënësit e Qendrës për arsimin e mesëm të orientuar "Vëllezërit Frashëri" në Deçan, nxjerrin numrin e parë të fletushkës "Rreze drite", e cila bëhet një tribunë mendimesh, veprash dhe krijimesh. Kryeredaktor u zgjodh Njazi Ferizaj, profesor, ndërsa redaktor i parë u zgjodh Bardhi, i cili njëherësh ishte edhe ndër iniciatorët për nxjerrjen e kësaj fletushke. Kështu, në numrin e parë, shquhen disa artikuj të rëndësishëm ndër të cilët veçohen: "Zhvillimi i shkollave në territorin e komunës së Deçanit" nga Jusuf Ismajli dhe "Historiku i Gjimnazit" nga Bardh Nitaj. Këto ishin vetëm disa aspekte të sukseseve të kësaj qendre, sepse për një pasqyrë më të plotë nuk mjafton të thuhet vetëm kaq. Puna e profesorëve në përgjithësi dhe puna e profesor Bardhit në veçanti, bënë që kjo qendër e arsimit të mesëm të ishte ndër më të mirat e qendrave simotra të Kosovës dhe jashtë saj. Kështu, vetëm në vitin shkollor 1980/81, kjo qendër shkollore numëronte mbi 2300 nxënës, prej tyre 700 vajza.

Gjatë gjithë kësaj kohe kur punonte në gjimnaz, Bardhi zhvilloi edhe një varg veprimtarish tjera. Kështu, një kontribut të madh dha si kryetar i Organizatës së Kryqit të Kuq të Deçanit dhe anëtar i Organizatës së Kryqit të Kuq të Kosovës; në Lidhjen e Eprorëve Ushtarak Rezervë; në Organizatën e Luftëtarëve të Deçanit dhe në Organizatën e Luftëtarëve të Kosovës; në Lidhjen Turistike, etj. Më 22.X.1974, u zgjodh kryetar i Komisionit Komunal për sigurimin material dhe dhënjen e kredive për ndërtimin e banesave luftëtarëve.

Meritat e Bardhit ishin të mëdha në sfera të shumta të aktiviteteve shoqëroro-politike, prandaj edhe shpërblimet, mirënjohjet dhe dekoratat ishin të shumta, si nga Kuvendi Komunal i Komunës së Deçanit, ish-Këshilli Popullor i Rrethit të Gjakovës, niveli krahinor e deri te ai federativ. Ndër to veçohen, Dekorata e punës e rendit të III (1960), Dekorata për merita ushtarake me shpata të argjenda (1972) dhe Dekorata për merita për popull me yll të argjendë (1973) - të ndara nga presidenca federative. Më 1980, Konferenca Krahinore e LSHL të LNÇ të Kosovës, i ndau Plaketën e LSHL të LNÇ.

Gazeta "Shkëndija":"Njeriu me dekorata..." - 04.1973
Në vitin 1973 ishte pjesë e komisionit krahinor për shqyrtimin e planprogrameve të historisë për shkolla të mesme dhe më pastaj edhe recensent i disa teksteve të historisë për shkolla fillore e të mesme. Po ashtu, u mor edhe me përkthimin e disa teksteve shkollore nga serbo-kroatishtja në shqip. Pati një bashkëpunim të ngushtë me revistat "Shkëndija", "Përparimi", "Jeta e re", "Në flakën e revolucionit" dhe "Rilindja". Ishte bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albanologjik, Seksioni i toponomastikës. Për shkak të një aktiviteti të tillë mjaft të ngjeshur, Bardhi u shtrëngua t'i ndërpres qysh në fillim studimet postdiplomike në Fakultetin Filozofik në Shkup, për Historinë e përgjithshme të kohës më të re. Mirëpo, Bardhi punën kërkimore-shkencore nuk e ndërpret, jo vetëm në këtë periudhë, por as më vonë. Për Bardhin, gjer në vdekje vleu thënia "Edhe edukuesi duhet të edukohet", prandaj librit dhe studimit nuk iu nda as në ditët e fundit të jetës së tij. Kështu, edhe gjatë viteve të fundit të punës në gjimnaz, Bardhi nuk ishte thjesht vetëm një drejtor, por ai ishte më tepër një mësues, një pedagog dhe një këshillëdhënës për nxënësit dhe kolegët e tij. Prandaj, edhe sukseset e gjimnazit të Deçanit nuk kishin të ndalur.

Gazeta "Shkëndija":"Kur luftëtari flet për luftën" - 09.05.1975
Bardhi gjatë veprimtarisë së tij arsimore, realizoi edhe një sërë kontaktesh me personalitete dhe delegacione të ndryshme të arsimit nga vendi dhe bota, e të cilat ishin shumë frytëdhënëse dhe mënyra më e mirë për të shkëmbyer përvojat. Jo të rralla ishin befasitë për të mirë të të huajve nga përvoja shumëvjeçare e Bardhit, pishtar dhe veteran i arsimit shqip në Kosovë. Për Bardhin, sidomos të paharrueshme dhe të mirëpritura ishin takimet me delegacionet e arsimit dhe kulturës nga Shqipëria në Deçan në fund të viteve të '70-ta. Bardhi, në këtë kohë ishte drejtor i gjimnazit, ndërsa këto kontakte të vëllëzërve të ndarë ishin bërë të rregullta.

Demonstratat e vitit 1981 dhe pensionimi (periudha 1981 - 1987)

Derisa vitet e 70-ta ishin vite të arta për arsimin dhe shkollën shqipe, vitet e 80-ta dhe 90-ta do të jenë vite të përjetimeve të rënda, por edhe vite të gjata të mbijetesës. Demonstratat e vitit 1981, por edhe ato që do të pasojnë, nuk do të kalojnë pa pasoja edhe për arsimin deçanas. Kështu shkollat fillore të komunës e sidomos Gjimnazi i Deçanit do të sulmohen në mënyrë të egër duke i konsideruar si çerdhe të nacionalizmit e separatizmit shqiptar. Të arriturat e këtij gjimnazi do të bëhen cak i sulmeve të pushtetmbajtësve komunistë, kurse drejtori i gjimnazit, Bardh Nitaj, halë në sytë e tyre. Prandaj, ngjarjet e vitit 1981, do të ishin "të mirëseardhura" që të bëhej "pastrimi" i kësaj vatre nga "kundër-revolucionarët" shqiptar. Kështu, pati dhjetëra nxënës dhe profesorë të përjashtuar nga gjimnazi, të cilët më vonë edhe burgoseshin dhe dënoheshin me vite të tëra burg. Ishte pra, kjo koha kur pushteti komunist eliminonte ata të cilët me mundin e djersën e derdhur ndër vite kishin arritur që shkollës shqipe t’i jepnin fizionominë e një shkolle moderne e të përparuar, e para së gjithash kombëtare.

Pushtet mbajtësit komunistë, pos largimit dhe burgosjes së shumë nxënësve dhe profesorëve, suspenduan dhe e larguan nga puna edhe Bardhin, me arsyetimin: "për shkaqe shëndetësore nuk mund të ushtrojë detyrën e drejtorit në Gjimnazin e Deçanit." Ky ishte Vendimi i O.Th. të LK të Gjimnazit dhe i K.K të LK të Deçanit. Në fakt këto organe ishin të vetmet që merrnin këso vendimesh. Për Bardhin, si dhe për të gjithë dashamirët tjerë të kombit, ishte kjo një kohë dekurajuese për punën e tyre. Porse, Bardhi e dinte se asgjë e re nuk po ndodh, vetëm se po përsëritet historia për shqiptarët, si në vitet '45, '55, '68, prandaj përpara armikut nuk duhet dorëzuar, por duhet gjetur mënyra se si të punohet ashtu që rruga e nisur të mos ndërpritet.

Për fatin e mirë, dashamirët e arsimit, e rikthejnë sërish Bardhin në punë. Kështu, anëtarët e Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Komunës së Deçanit, e shohin të arsyeshme dhe më 14 tetor 1981 e emërojnë Këshilltar për Arsim dhe Edukim, pranë Kuvendit Komunal, kryetar  i të cilit ishte Ismajl Berisha. Në këtë detyrë qëndroi prej 1 nëntorit 1981 deri më 13 korrik 1984. Në periudhën prej 1 dhjetorit 1982 deri më 31 korrik 1983, ishte ushtrues detyre Sekretar i BVI-së komunale për arsim dhe edukim fillor, kurse prej 13 korrikut 1984 e deri më 31 korrik 1986, Inspektor i Arsimit, në KE të KK të Deçanit. Roli i Bardhit në këto pozita, për zhvillimin e arsimit shqip në komunë, edhe përkundër moshës, është jashtëzakonisht i madh dhe rëndësia e tij e pakontestueshme, sidomos në zgjerimin e rrjetit të shkollave. Me angazhimin e tij, u ndërtuan ndërtesa të reja shkollore në fshatrat Jasiq, Voksh i Madh, Pobërgjë, Baballoq, Shaptej e më vonë edhe në Beleg dhe Belle. Po ashtu, me angazhimin e tij, u arrit ndarja dhe pavarësimi i shkollave fillore, në Prapaqan, nga ajo e Isniqit dhe në Rastavicë, nga ajo e Prejlepit - në të cilat ishte kryetar i Komisioneve amë për themelimin e këtyre dy shkollave të plota fillore.

Takimet e Treta të Veteranëve të Arsimit
Në të njëjtën kohë, Bardhin e shohim edhe në aktivitetet e tubimeve të arsimtarëve dhe të veteranëve të arsimit. Ishte kryetar i Tubimit të veteranëve të arsimit të Deçanit, si dhe pjesëmarrës në Seminaret-Takimet e Arsimtarëve të Deçanit, ndërsa më 1983 dhe më 1984 pjesëmarrës në Seminaret-Takimet e Arsimtarëve të Kosovës, në Prishtinë. Më 27 dhe 28 shtator 1984, merr pjesë në Takimet e Treta të Veteranëve të Arsimit të Kosovës, në Prizren. Po ashtu, ishte pjesëmarrës në takimet dhe këshillimet me sekretarët komunal të arsimit dhe me inspektorët komunal të arsimit të komunave të Kosovës, ku kontributi i tij i dhënë në to ishte i pamohueshëm. Bardhi, ishte pjesëmarrës dhe nikoqir i pjesës së Seminarit Ndërkombëtar shkencor historik me temën bosht "Deçani dhe arti bizantin në mesin e shekullit XIV", për dy ditë më radhë, më 13 dhe 14 shtator 1985 që u mbajt në Deçan. Në Seminarin që po organizohej me rastin e 650 vjetorit të Manastirit të Deçanit, historianët shqiptar me sukses kishin paraqitur të gjeturat e tyre. Ndër to u veçuan, kumtesa e profesor Bardh Nitaj "Manastiri i Deçanit, objekt kulti i popullsisë ortodokse vendase me origjinë shqiptare", si dhe ajo e profesor Skënder Rizaj "Burimet osmane nga shekulli XV deri në shekullin XVIII për banorët e Deçanit dhe të rrethinës".

Diploma 'Dita e Rinisë'
Për tërë këtë veprimtari shumëvjeçare në lëmin e arsimit, profesor Bardhi, disa herë mori mirënjohje e dekorata, nga Kuvendi Komunal i Komunës së Deçanit, përkatësisht nga ish-Këshilli Popullor i Rrethit të Gjakovës, ndërsa në vitin 1984, është laureat i shpërblimit “Dita e Rinisë” dhënë nga Bashkësia e Arsimit e Kosovës, për sukseset e jashtëzakonshme të arritura në lëmin e edukimit dhe të arsimit. Me 15 shtator 1984, gazeta e kohës "Shkëndija" nr. 14/84 fq. 5, kishte sjellur intervistën me veteranin e arsimit nga Deçani, Bardh Nitaj me mbititullin "Laureatët e Shpërblimit 'Dita e Rinisë'" dhe titullin "PISHTARI I ARSIMIT - LAUREAT", drejtuar nga gazetari Isa Ilazi.

Mirënjohje të veçanta komunale me shenja të arta, i ishin ndarë për kontributin e dhënë në organizatën komunale të Kryqit të Kuq, ndërsa më 1985 me rastin e 40 vjetorit të mëkëmbjes dhe të punës, Kuvendi i Kryqit të Kuq të Kosovës, i ndau KARTËN si mirënjohje të jashtëzakonshme për punë shembullore dhe kontribut të vetëdijshëm në realizimin e qëllimeve dhe të detyrave humanitare të kryqit të kuq.

Gazeta "Shkëndija":
Pishtari i arsimit laureat - 15.09.1984
Më 1983, është fitues i Shpërblimit krahinor të Dhjetorit, ndërsa më 1986 nga Konferenca Krahinore e Lidhjes së Eprorëve Ushtarak Rezervë, iu nda Shenja e Artë e LEURJ-së dhe më 1987 nga Kuvendi Komunal i Komunës së Deçanit iu nda Shenja e Mbrojtjes Popullore.

Për meritat e tij si në arsim ashtu edhe në luftë, Bardhi ishte mysafir i shumë revistave dhe gazetave si dhe i emisioneve në radio dhe televizion. Duhet të përmenden këtu emisionet në Televizionin e Prishtinës - TVP, "Me veteranët e arsimit" i transmetuar me 9 shtator 1985 (dhe i ri-transmetuar me 22 shtator 1986) dhe "Ora e parë letrare" kushtuar QAMO-s "V. Frashëri" në Deçan, i transmetuar me 26 qershor 1986, emisionin në Radio Prishtinë 1 - RP 1 "Tradita revolucionare" me evokime të Bardhit nga LNÇ, i transmetuar me 11 shtator 1985, si dhe shumë emisione të tjera gjatë tërë veprimtarisë së tij.






Gazeta "Rilindja": Gëzimet e Bardh Nitës 14.11.1984
Edhe në këtë periudhë kohore, Bardhi ka një angazhim të veçantë në organizatat e luftëtarëve, ku ishte delegat në të gjitha Konferencat e LShL të LNÇ nga niveli komunal deri në atë federativ. Ishte anëtar, sekretar dhe kryetar i Kryesisë së Këshillit Komunal të LShL të LNÇ të Deçanit. Kështu, nga 1 tetori 1984 deri më 26 prill 1989, (i rizgjedhur më 21 shkurt 1986), për dy mandate radhazi, Bardhi ishte kryetar i kësaj organizate në Komunën e Deçanit. Në këtë cilësi, Bardhi ishte edhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit Komunal dhe anëtar i Kryesisë së Komitetit Komunal të LK të Deçanit.  Në këtë vazhdë, gjatë vitit 1986, ishte anëtar i Komisionit për çështje socio-ekonomike të pjesëmarrësve të LNÇ të Kosovës si dhe anëtar i Komisionit komunal për dekorata. Në vitet 1986/87, në cilësinë e kryetarit të Komisionit komunal për vërtetimin e ligjshmërisë së pjesëmarrjes në LNÇ të luftëtarëve deçanas para dhe pas datës 9.9.1943, kontributi i Bardhit ishte mjaft i madh, pasi që në përmbyllje të punës së këtij Komisioni, iu mbyll goja shumë pseudogazetarëve dhe puthadorëve shqipfolës, e të cilët, me shkrimet e tyre në gazetat serbe të kohës, patën ngritur shumë pluhur rreth ligjshmërisë së pranimit të statusit të luftëtarit për shumë luftëtar shqiptar të Deçanit, e të cilët, sipas këtyre gazetarëve, kishin marrë këtë status duke falsifikuar dokumente dhe duke gjetur dëshmitar të rrejshëm. Bardhi, ishte në krye të një delegacioni prej 40 luftëtarëve deçanas, në manifestimin e zbulimit të Pllakës përkujtimore të Frontit të Sremit, në të cilin front kishin dhënë jetën edhe shumë shqiptarë nga të gjitha trojet etnike. Në cilësinë e anëtarit të Kryesisë së Komitetit Komunal të LK të Deçanit, Bardhi merr pjesë në punimet e Konferencës së 13-të të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, mbajtur më 27 dhe 28 prill 1986, në Prishtinë.

Po në këtë kohë, Bardhit i arrin një telegram nga Shqipëria me lajmin për vdekjen e dajës së tij, Mehmet Dermanit, në moshën 75 vjeçare, i cili po vuante vitet e fundit të jetës së tij, në internim në Selenicë të Vlorës. Telegramin e kishte dërguar e shoqja Shpresa, e cila tanimë kishte mbetur e vetme, për shkakun se nuk kishin patur trashëgimtarë, si pasojë e përndjekjeve shumëvjeçare nga regjimi komunist. Bardhi, do  të goditej shumë nga ky lajm i hidhur. Sado kudo, një ngushëllim do të sjellte dekorimi post mortum i Mehmet Dermanit, që i bëri presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, me Urdhërin e Flamurit Kombëtar për Liri më 7 janar 1994, për kontributin e tij dhënë organizimit të Konferencës së Bujanit.

Bardhi, prej 1 janarit 1987 del në pension, pas 46 vjet e 2 muaj e 6 ditë pune. Tani Bardhi, ishte në prag të ditëlindjes së 68 të tij. Mosha dhe lodhja, natyrisht që do të reflektohen edhe në vitet e fundit të jetës së tij.

Vitet e fundit (periudha 1987 - 1995)

Megjithatë, morali i lartë që kishte për punën bënë që bacën Bardh t'a shohim edhe për një kohë të pranishëm në shoqëri dhe në vlimet politike që do të pasojnë. Anipse në pension, Bardhi kryen detyrën e kryetarit të Kryesisë së Këshillit Komunal të LShL të LNÇ të Deçanit, anëtarit të Kryesisë së Komitetit Komunal të LK të Deçanit. anëtarit të Kryesisë së Kuvendit Komunal dhe delegatit në dhomën shoqëroro-politike të Kuvendit Komunal të Deçanit. Një kontribut të konsiderueshëm e dha edhe në Lidhjen e Invalidëve të Punës së Kosovës.

Anipse, faktikisht tani i shkyçur nga shkolla dhe arsimi, Bardhi ishte i mirëpritur dhe i shumëkërkuar nga kolegët e vet më të rinjë, të cilët jo rrallë i drejtoheshin Bardhit, mësuesit të tyre për vërejtjet dhe sygjerimet që do t'u epte ky për punën e tyre. Porse, për situatën që do të pason në Kosovë, Bardhi do të jetë i mirëseardhur për mbarë popullatën shqiptare me këshillat e veta të cilat i kishte mësuar nga vet jeta. Siç u tha, situata në Kosovë do të vie duke u acaruar dhe viti 1988 do të mund të quhej viti kulmor i durimit shqiptar, ndërsa vitet 1989-90 vitet e shpërthimeve të mëdha. Më 23 mars 1989, delegatët e Kuvendit të Kosovës nënshkruan kapitullimin kurse më 28 mars 1989, Kuvendi i Serbisë, "i bëri aminin" dhe kështu Kosova së bashku me Vojvodinën, e humbën autonominë që e kishin fituar me Kushtetutën e vitit 1974. Bardhi, si deputet i Kuvendit të Kosovës më 1974, aktin e 24 marsit 1989 e pranoi si tradhtinë më të madhe të pasluftës që iu bë popullit shqiptar nga pjesëtarë të vet dhe me skepticizëm e shiqonte të ardhmen e Kosovës. Për Bardhin ishte irrituese ftesa që kishte marrë zyrtarisht në cilësinë e kryetarit të luftëtarëve të Deçanit nga kryetari i Kuvendit të Serbisë, Borisav Joviq, për të marrë pjesë në mbledhjen solemne në Beograd më 28 mars 1989 në aprovimin e Kushtetutës së re nga Kuvendi i Serbisë, me të cilën edhe de juro aneksohej Kosova. Natyrisht, Bardhi si kryetar i luftëtarëve të Deçanit, këtë ftesë e refuzoi, por fatkeqësisht ftesës iu përgjigjen pozitivisht një pakicë tjetër e udhëheqësve komunal shqiptar. Ndodhte kjo, pikërisht në ditën e martë, kur demonstrata të mëdha kishin shpërthyer edhe në Deçan, si kudo nëpër Kosovë, me ç'rast ishin vrarë 4 dëshmorë tjerë shqiptarë nga plumbat e policisë serbe dhe qytetarëve serbo-malazez të Deçanit.

Shembja e autonomisë së Kosovës si dhe demonstratat e përgjakshme edhe në Deçan, do të jenë arsye e mjaftueshme që Kryesia e Komitetit Komunal të LK të Deçanit (në krye me Sali Çekun, kryetar, e ku Bardhi ishte anëtar i kryesisë), ndër të parët denoncojnë dhunën dhe krimet serbe ndaj shqiptarëve dhe ndër të parët lëshojnë radhët e Lidhjes së Komunistëve. Janë të njohura qëndrimet dhe diskutimet e Bardhit në mbledhjet e kësaj kohe, kur populli shqiptar i Kosovës po i përjetonte ditët më të zeza gjatë historisë së vet. Bardhi, pa hezitim denoncoi krimet e policisë dhe qytetarëve serbo-malazez të Deçanit më 28 mars 1989 por edhe maltretimet masovike të familjeve shqiptare gjatë muajit prill 1989. Bardhi, merr pjesë dhe është në ballë të protestës së madhe të rreth 50 mijë shqiptarëve, në muajin prill 1989, në qendër të Deçanit. Më 26 prill 1989, Bardhi, i nxitur nga ngjarjet që po ndodhnin, paraqet dorëheqje të parevokueshme nga Kryesia dhe nga posti i kryetarit të organizatës së luftëtarëve të Deçanit.

Kështu përfundon një veprimtari e shquar afro 50 vjeçare e mësuesit, edukatorit, pedagogut, profesorit të historisë, luftëtarit në luftë dhe pas saj, deputetit të Kuvendit të Kosovës, këshilltarit dhe humanistit, Bardh (Ukë) Nitaj. Ishte kjo një periudhë me plot ngjarje historike për Kosovën dhe shqiptarët, me ngritje dhe rënie e valët e këtij deti të trazuar kosovar, natyrisht që e rrahën edhe bacën Bardh, porse asnjëherë nuk e lëkundën dot. Baca Bardh, qysh herët e kishte zgjedhur rrugën e tij jetësore, rrugën e mësuesit të popullit, ideal ky, që në rininë e hershme të tij. Këtë rrugë, ai e trasoi në mënyrë shembullore dhe pa u trembur asnjëherë nga përplasjet që i sillte koha. Baca Bardh ishte veteran dhe pishtar i arsimit të pasluftës. Kontributi i tij për themelimin e shkollave shqipe dhe organizimin e procesit edukativo-arsimor ishte jashtëzakonisht i madh dhe i një rëndësie parësore për arsimin e Rrethit të Gjakovës, Komunës së Deçanit dhe tërë Rrafshit të Dukagjinit e Kosovës. Një jetë tërë, baca Bardh ia kushtoi arsimit. Gjithmonë i palodhshëm si mësues, arsimtar dhe profesor, i afërt me nxënësit dhe kolegët dhe i dashur nga ta, edukator dhe pedagog i rrallë, organizatorë i kurseve analafabetike dhe shëndetësore për të rritur.

Në vitet e '90-ta, baca Bardh, të vetmet kontakte që i bënte, ishin me popullin. Popullit, të cilit ia kishte kushtuar tërë jetën dhe punën e tij. Një thënie e urtë kineze thot "... nëse don të ekzistosh gjithmonë, shkollo kuadro!", prandaj edhe baca Bardh, me respektin më të madh, do të nderohet dhe kujtohet nga ajo pjesë e popullit, që do të jenë kuadro të çmuara të profesioneve të ndryshme. Baca Bardh ishte i nderuar nga të gjithë, nga të rinjë e nga të vjetër. Ishte i shkollave dhe i odave, karakteristikë e rrallë e intelektualëve të kohës. Mirëpo, vitet e pleqërisë, përplasjet e jetës dhe sëmundja e gjatë dita ditës e bënin të veten, prandaj baca Bardh kohën më të madhe e kalon në banesën e vet në Deçan, në gjirin e familjes së tij. Përndryshe, baca Bardh kishte kaluar për të jetuar në Deçan, bashkë me familjen e tij prej fundit të vitit 1964. Ishte martuar në dhjetor të vitit 1954 me Have (Bekë) Dautaj nga Carrabregu i Epërm i Deçanit. Bashkë kishin fëmijët, Agimin (1956), Fanën (1957), Shpresën (1960), Besimin (1962), Sabrijen (1965), Skënderin (1968) dhe Valbonën (1971).

Nga protestat popullore, vjeshtë 1991, ne Deçan,
për lirimin e shkollave shqipe, nga pushtuesi serb.
Në plan të parë, veterani i arsimit,
prof. Bardh (Ukë) Nitaj dhe Rexhep Dobraj
Në fillimin e vitit 1992, baca Bardh u sëmurë rëndë, porse dëshira për jetën dhe punën ishte vendimtare që të luftojë me sëmundjen edhe për një kohë. Për bacën Bardh, libri edhe në vitet e pleqërisë, mbeti shoku më i mirë. Përkundër sëmundjes dhe pleqërisë, ai gjithnjë lexonte dhe studionte. Përndryshe, dispononte me një bibliotekë të pasur librash nga më të ndryshmet. Dominonin atonga historia dhe mjekësia, por nuk ishin të pakta librat edhe nga sfera të tjera të shkencave natyrore dhe shoqërore. Nuk është paktë, numri i atyre nxënësve, studentëve dhe profesorëve që pikërisht te baca Bardh kishin gjetur literaturën e nevojitur, e të cilët do t'i jenë mirënjohës, mësuesit të tyre. Baca Bardh me interesim të veçantë përcillte botimet e dokumenteve dhe zbulimet e reja që ndriqonin më shumë historinë e popullit shqiptar, në shtypin kosovar, i cili pothuajse funksiononte në mënyrë gjysmëilegale, e sidomos pas ndryshimeve demokratike në Shqipëri, me kënaqësi përcillte Televizionin Shqiptar, e sidomos pëlqente redaksinë Bota Shqiptare për Ju dhe rubrikën Kujtesë, në të cilën përkujtoheshin ngjarjet dhe figurat më të ndritura të kombit. Përpos leximit dhe studimit, baca Bardh një kohë të konsiderueshme e ndan edhe për të shkruar nga fusha e historisë shqiptare, me theks të veçantë nga treva të cilës edhe i takonte vet, historisë së popujve të vjetër, historisë së artit, mitologjisë, misticizmit, fesë, medicinës popullore, e të cilat për shkak të pamundësisë fizike dhe materiale për ti botuar, i mbesin vetëm si dorëshkrime, me shpresën se ndonjë ditë do të shohin dritën e botimit dhe do të gjenden në dorën e lexuesit dhe studiuesit.

Baca Bardh luftoi me sëmundjen për katër vjet me radhë. Natën e 8 dhjetorit 1995, ai ishte si gjithmonë i pa trembur. Nuk iu frikësua jetës, nuk po i frikësohej as vdekjes. Kësaj vdekjeje që më së paku e njohim. Këtë natë të premte të dhjetorit, ai u nda nga jeta dhe nga më të dashurit. Modestia e jetës e përcolli edhe në çastet e fundit. Modestia, atij ia kish fisnikëruar shpirtin, prandaj ky shpirt i tij do të prehet i qetë në Parajsë. Vdekja e mundi atë, por kujtimi për të, do ta mund vdekjen e tij.

Fjalimet lamtumirëse për bacën Bardh, me 9 dhjetor 1995
Baca Bardh, u varros të nesërmen, me 9 dhjetor 1995, në fshatin e tij të lindjes, në Drenoc, me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve, që kishin ardhur t’i bëjnë nderimet e fundit – mësuesit të tyre të dashur. Pas ceremonive fetare, fjalimet lamtumirëse për jetën, veprën dhe shëmbëlltyrën e bacës Bardh, u lexuan nga arsimtari dhe bashkëfshatari Halil Dukaj dhe nga profesori Hasan Mujaj. Pranë varrit të tij, shtëpisë së përmortshme, u vendosen kurora lulesh. Sipas traditës, e  pamja për bacën Bardh u mbajt në odën e kushëririt Avdyl Salihut, prej 10 deri më 16 dhejtor 1995. E pamja për bacën Bardh, ishte dëshmia më e mirë për autoritetin e madh që e gëzonte në popull dhe për mungesën që ndjehej nga mosprania e Tij fizike. Oda e burrave kishte mbetur pa burrin e mençur, pa njeriun e ditur, pa plakun e urtë, pa bacën Bardh.

Lajmi mbi vdekjen në gazetën ditore "Bujku"
Me 11 dhjetor 1995 gazeta e vetme ditore shqipe në Kosovë "Bujku", nr 1310, faqe 10 sjell lajmin mbi vdekjen e profesorit dhe veteranit të arsimit Bardh (Ukë) Nitaj, me titull "Luftëtarv dhe veteran i arsimit", shkruar nga Tahir Z. Berisha, ndërsa me 25 dhjetor 1995, e njejta gazetë, nr 1322, faqe 6 sjell shkrimin përkujtues për bacën Bardh, me titull "Vepra që nuk vdesin ...", shkruar nga gazetari Curr Mazrekaj. Të dy artikujt janë shoqëruar me nga një fotografi të profesorit tashmë të ndjerë, ndërsa janë botuar edhe në të përditshmen "Rilindja", botimi jashtë Kosovës.

Bardh Nitaj, Bardh Uka apo Baca Bardh, tre emra për një njeri, që u skalit në kohë dhe hapësirë për 76 vjet më radhë të jetës së tij. Një njeri që me emrin e vet do të mbetet për një kohë të gjatë në kujtesë, një njeri qe me veprën e vet do të mbetet përgjithmonë në kujtimin e gjeneratave që do të vijnë. Në kohë të vështira, linden njerëz të mëdhenj! Koha e kërkon njeriun në flakë! Koha e kërkoi Bardhin!...

Më 24 maj 1996, figura e veteranit të arsimit shqip, Bardh (Ukë) Nitaj, u përkujtua në rubrikën Kujtesë nga Televizioni Shqiptar. E njëjta ështe ri-transmetuar me 24 maj 1997.

http://skendernitaj.blogspot.com/2015/04/kujtese-24-maj-1996-bardh-uke-nitaj.html

Letërkëmbimi me autorin Tahir Z. Berisha
Emra që nuk harrohen II, 1996
Biografia e profesorit dhe veteranit të arsimit, Bardh (Ukë) Nitaj, do të zë vend në vëllimin e dytë të librit "Emra që nuk harrohen (Arsimtarët veteran 1941-1951)" të autorit Tahir Z. Berisha, botuar në Prishtinë më 1996.

Një biografi tjetër e tij, do të zë vend edhe në librin "Shkollat shqipe në Rekë të Keqe" të autorit Tahir Bezhani, botuar në Gjakovë më 2006.

Mirënjohje (post mortum), bacës Bardh, iu ndanë,
  • nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Deçan, me rastin e Ditës së Mësuesit, më 7 mars 2006
  • nga Gjimnazi "Vëllëzërit Frashëri" në Deçan, me rastin e 40 vjetorit të themelimit të kësaj shkolle, më 25 maj 2007 dhe 
  • nga Lidhje e Historianëve të Kosovës "Ali Hadri" dega në Deçan, me rastin e 12 vjetorit të çlirimit të Deçanit, më 16 qershor 2011.

Në fshatin Gramaçel të Deçanit, më 17 maj 2013, me rastin e Ditës së Shkollës, u zbulua pllaka në kullën e Tahir Kamer (Avdijaj), në të cilën ndër të tjera shkruan: "Në këtë kullë të Tahir (Kamer) Avdijaj, në vitin 1948 u hap shkolla e parë shqipe në fshatin Gramaçel K.K Deçan. Drejtor i parë ishte Bardh Ukë Nitaj nga Dranoci i Deçanit..."

Pllaka në kullën-shkollë në Gramaçel
http://skendernitaj.blogspot.com/2015/04/zbulohet-pllaka-ne-kullen-e-tahir-kamer.html
http://kk.rks-gov.net/decan/Lajmet/Zbulohet-pllaka-ne-kullen-e-Tahir-Kamer-(Avdijaja-.aspx

Shënim: Janë shfytëzuar materiale të ndryshme, nga libra, revista, gazeta, dorëshkrime, rrëfime e dëshmi të bashkëkohësve.

1 comment: